Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë, të fortë por të drejtë trajnerit Mikel Arteta dhe lojtarëve të skuadrës, duke theksuar se rruga drejt titullit nuk pranon justifikime.
Në mes të debateve për mungesat në skuadër dhe kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve, ish-sulmuesi francez ka nënvizuar se këto janë situata me të cilat përballet çdo ekip dhe se skuadrat kampione dallohen pikërisht nga mënyra se si reagojnë në momente të vështira.
Henry, pjesë e Arsenalit të famshëm të “Invincibles”, ka bërë të qartë se ankesat vetëm largojnë vëmendjen nga rezultati dhe zgjidhjet reale.
“Le të mos flasim për këto gjëra. Të gjithë kanë probleme. Çdo skuadër kalon nëpër lëndime, lodhje dhe vendime të gabuara. Fitues janë ata që gjejnë zgjidhje, jo ata që kërkojnë shpjegime”.
Sipas legjendës së klubit londinez, një skuadër që synon titullin e kampionit tregon forcën e saj të vërtetë pikërisht atëherë kur mungojnë lojtarët kryesorë.
Henry ka theksuar se Arteta duhet ta shfrytëzojë maksimalisht thellësinë e skuadrës, duke mbajtur ritmin me rivalët kryesorë si Manchester City dhe Chelsea, por mbi të gjitha duke ndërtuar një mentalitet fitues që nuk fokusohet te aspektet negative.
Arsenali aktualisht kryeson tabelën e Liga Premier me 36 pikë pas 16 ndeshjeve të zhvilluara, duke pasur një epërsi prej dy pikësh ndaj Manchester Cityt, çka e bën edhe më vendimtare menaxhimin e kësaj periudhe të sezonit./Telegrafi