Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me konkursin për 172 vende të lira pune të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), duke kritikuar mungesën e transparencës dhe mosfunksionimin e uebfaqes institucionale.
Sadiku ka bërë të ditur se në konkursin e hapur gjatë muajit nëntor kanë aplikuar mjekë specialistë nga fusha të ndryshme, përfshirë psikiatrinë, kirurgjinë vaskulare, pulmologjinë, sëmundjet ngjitëse, radiologjinë, neonatologjinë, onkologjinë, neurologjinë dhe biokiminë mjekësore.
Sipas tij, pavarësisht interesimit të madh dhe pritjes së gjatë të aplikuesve për ndonjë përgjigje zyrtare, ShSKUK aktualisht nuk ka as uebfaqe funksionale.
“Sot, kur mijëra profesionistë po presin të shohin ndonjë njoftim rreth konkursit, ShSKUK-së nuk i punon webfaqja. Çfarë mjerimi”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka theksuar se në vitin 2025, institucionet shëndetësore do të duhej të kishin bërë hapa konkretë drejt digjitalizimit, ndërsa sipas tij realiteti është krejt i kundërt.
“Inovacioni i tyre nis me ndezjen e kompjuterit e përfundon me fikjen e tij. Nuk kanë ide, nuk kanë program, nuk kanë aftësi”, ka deklaruar ai.
Sadiku ka premtuar se LDK do të ndërtojë një qasje të re në shëndetësi, duke synuar krijimin e një sistemi digjital që, sipas tij, do të lehtësojë punën e stafit mjekësor dhe do të përmirësojë shërbimet për pacientët.