Gazetarja Nicole Kolster ishte në shtëpi në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, kur apartamenti i saj filloi të dridhej me forcë.
“Pashë dritaret të lëviznin dhe e vetmja gjë që munda të mendoja të bëja ishte të futesha midis derës së përparme dhe një muri guri për të provuar të mbrohesha”, tregon ajo, transmeton Telegrafi.
Dy tërmete goditën qytetin me një diferencë prej disa sekondash të mërkurën, i pari me një magnitudë prej 7.2 ballësh dhe i dyti me 7.5 ballësh.
Fotot tregojnë ndërtesa të shembura dhe njerëz të mbledhur në rrugë, por numri i viktimave dhe shkalla e plotë e dëmit është ende e panjohur.
“Është tërmeti më i fortë që kam ndjerë ndonjëherë në jetën time. Ishte aq i fortë sa mendova se ndërtesa do të binte mbi mua”, i thotë Kolster BBC Mundo.
Kolster qëndroi e bllokuar midis derës së përparme dhe murit prej guri në apartamentin e saj në katin e shtatë “për një kohë të gjatë”, përpara se të dëgjonte fqinjët që u bënin thirrje njerëzve të evakuoheshin.
“Një orë pas tërmetit, të gjithë janë ende jashtë duke pritur për siguri në rast se do të ketë një pas-lëkundje”, thotë gazetarja, e cila jeton në Palos Grandes, një lagje kryesore në Karakasin qendror, e cila ishte ndër më të goditurat nga tërmetet.
Pavarësisht se ishte një ditë jave, shumë njerëz ishin në shtëpi ndërsa tërmetet goditën në një festë kombëtare që përkujton Betejën e Karabobos të vitit 1821, një fitore vendimtare nga udhëheqësi i pavarësisë së Venezuelës, Simón Bolívar, kundër fuqisë koloniale spanjolle.
Fotografitë dhe videot që dalin nga zonat e prekura tregojnë disa njerëz duke qarë dhe të tjerë duke u përqafuar në rrugë.
“Ka njerëz që janë shumë të trishtuar, të pafuqishëm sepse nuk mund t’i nxirrnin kafshët e tyre jashtë”, thotë Kolster.
“Të tjerë u përpoqën të nxirrnin makinat e tyre nga bodrumet e ndërtesave, nga frika se një pas-lëkundje mund t’i përkeqësonte gjërat”, shtoi ajo.
Thirrjet për ndihmë mund të dëgjoheshin nga rrënojat e një ndërtese të shembur aty pranë, shton ajo.
Maria Elise, një tjetër banore e Palos Grandes, thotë se dridhjet çanë disa mure në apartamentin e saj.
“Jashtë ka shtylla të rrëzuara të shërbimeve, nuk kemi energji elektrike, nuk kemi sinjal”, thotë Elise për BBC Mundo.
Kjo nuk është hera e parë që kryeqyteti i Venezuelës është goditur nga një tërmet i madh.
Në vitin 1967, një tërmet me magnitudë 6.6 ballë goditi Karakasin dhe vrau më shumë se 200 njerëz, duke shkatërruar ndërtesa në Palos Grandes dhe zonën e klasës së lartë të Altamirës.
Por ato të sotmet u ndjenë më keq, sipas disa banorëve që kishin përjetuar tërmetin e vitit 1967.
“Pati një përplasje shumë të fortë. Gjëra ranë në shtëpi, kana brenda frigoriferit. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, tha Coro Martinez, një banor 56-vjeçar në Karakasin lindor, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Pensionistja tetëdhjetëvjeçare Maria Romero tha: “Ky tërmet ishte i tmerrshëm, madje edhe më i keq se ai i vitit 1967”. /Telegrafi/
