Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro ndihmë financiare për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë që kërkon trajtim të kushtueshëm mjekësor.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Gagica ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas Kurtit, gjendja shëndetësore e tij kërkon kujdes të veçantë dhe shpenzime që familja nuk ka mundësi t’i përballojë.
Në mbështetje të këtij vendimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi rolin jetik të Hafiz Gagicës në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Gagica “ka të drejtë të presë solidaritetin e institucioneve të Kosovës, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”.
Gërvalla rikujtoi se gjatë viteve ’90-ta, Gagica ishte një nga figurat kyçe në organizimin dhe forcimin e sistemit paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi dhe furnizim ushqimor, në kohën e represionit të ushtruar nga Serbia. Sipas saj, ai ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve evropiane.
Një rol i veçantë, sipas Gërvallës, ishte edhe organizimi i vizitave dhe udhëtimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe delegacioneve të tjera kosovare në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera evropiane, përmes qendrës së veprimtarisë që Gagica drejtonte në Shtutgart.
Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e tij në organizimin e protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Gjermani, duke veçuar tubimin e vitit 1998 në Bonn, ku rreth 100 mijë pjesëmarrës kërkuan lirinë e Kosovës dhe ndaljen e shtypjes serbe, një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga një komunitet jo-gjerman në Republikën Federale të Gjermanisë.
Hafiz Gagica ka shërbyer si kryetar i LDK-së për diasporë dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be