Policia e Kosovës ka bërë të ditur gjatë kontrollit në dy valixhe që ishin në një depo në Podujevë ka gjetur dhe sekuestruar armë, që sipas informatave do të dërgoheshin në Gjermani.
Policia në raport njofton se në këto dy valixhe ishin gjetur pesë armë të gjata AK47, një armë të gjatë të modelit M12, një armë të gjatë prodhuesit të panjohur, një pistoletë Glock, nëntë karikatorë dhe 144 fishekë kalibrash të ndryshëm
“Podujevë / 22.06.2026 – 17:30. Policia gjatë kontrollit në dy valixhe që ishin në një depo ka gjetur dhe sekuestruar: pesë armë të gjata AK47, një armë të gjatë të modelit M12, një armë të gjatë prodhuesit të panjohur, një pistoletë Glock, nëntë karikatorë dhe 144 fishekë kalibrash të ndryshëm”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin paraprakisht policia ka marrë informata se tre të dyshuar meshkuj kosovarë ishin organizuar që armët e lartcekura t’i dërgonin në Shtutgard, Gjermani.
Me urdhër të prokurorit janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve mirëpo, të dyshuarit nuk janë hasur dhe të njëjtit janë në kërkim të policisë.
Policia njofton se rasti është në procedurë hetimore. /Telegrafi/
