Presidenti i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) në Evropë, Stefan Schulte, ka kritikuar sistemin e kontrollit të hyrjes dhe daljes së shtetasve jo të Bashkimit Evropian në kufijtë e Unionit.
Bëhet fjalë për sistemin Entry-Exit (EES), të cilin BE-ja po e zbaton prej disa muajsh dhe që nënkupton kontrollin e udhëtarëve në bazë të të dhënave biometrike. Schulte u ka bërë thirrje politikanëve të BE-së që të mos shtiren sikur EES po funksionon pa probleme.
“Udhëtarët gjatë orëve të pikut presin me orë të tëra në radhë dhe thjesht nuk e di si do të përballemi në javët e ardhshme me rritjen e pritshme të trafikut”, deklaroi Schulte, i cili është gjithashtu kreu i kompanisë Fraport që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Frankfurtit.
Në aeroportet e BE-së, që nga futja e EES-it, janë shfaqur probleme. Një rast i tillë ndodhi në muajin prill, kur pasagjerët në linjën Milano – Manchester humbën fluturimet e tyre për shkak të problemeve në kontrollin e pasaportave, shkruan bbc.
Schulte mendon se nevojitet fleksibilitet i plotë në mënyrë që kontrollet kufitare të mund ta pezullojnë zbatimin e EES-it kur është e nevojshme, për të shmangur kaosin. Ai bëri thirrje për rishikimin e këtij sistemi.
BE-ja lejon pezullimin e përkohshëm të EES-it në rrethana të caktuara deri në muajin shtator. Por, Schulte kujtoi se sezoni i verës zgjat më shumë se shtatori dhe se pas kësaj mund të përballen me një kolaps të plotë të sistemit. /Telegrafi/
