Një studim i ri që analizon vëllimin e tregtisë ilegale të cigareve në Bashkimin Evropian (BE) tregon se konsumi i cigareve nga tregu i zi është rritur me më shumë se 7% në nivel vjetor në vitin 2025, duke arritur nivele më të larta se në mbarë dekadën e kaluar, me çka cigaret ilegale po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në vendet anëtare.
Më konkretisht, studimi i realizuar nga KPMG LLP në emër të Philip Morris Products S.A., vë në dukje se cigaret ilegale në BE përbëjnë më shumë se një në dhjetë cigare për herë të parë që nga viti 2014. Në vitin 2025, vëllimi ilegal ka arritur në 41.8 miliardë cigare në BE, gjë që përfaqëson 10.3% të konsumit të përgjithshëm, duke rezultuar në humbje të vlerësuara prej 16.7 miliardë eurosh në të ardhura tatimore. Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që tejkalohet pragu prej 10 për qind që i takon tregtisë ilegale.
Të dhënat tregojnë se konsumi ilegal i cigareve në Evropë ka arritur një nivel të lartë dhe në rritje. Në 38 vende evropiane që ishin të përfshira në studim, konsumi ilegal arriti në 55.3 miliardë cigare, që vlerësohet me humbje të të herave në buxhetin e shtetit prej 22.4 miliardë eurosh. Analiza përcakton se tregu ilegal përbëhet kryesisht nga cigare të falsifikuara, ku sasia e tyre arrin në 18.3 miliardë cigare ose 44% të konsumit të përgjithshëm ilegal në BE. Vëllimi i cigareve të falsifikuara dhe produkteve të duhanit është rritur me më shumë se 20 për qind krahasuar me vitin 2024.
Ekspertët vlerësojnë se taksimi i tepërt dhe rregullat kufizuese mund t’i nxisin konsumatorët t’u drejtohen tregjeve ilegale. Në konferencën për tregtinë ilegale të duhanit, të mbajtur në Bruksel, zëvendëskomandanti i policisë kufitare të Lituanisë, Donatas Shkarnulis, vlerësoi se është i nevojshëm një harmonizim më i mirë i ligjeve dhe metodave administrative për shtypjen më efikase të tregtisë ilegale.
„Po bëjmë shumë. Megjithatë, siç tregohet në prezantime, prodhimi i falsifikimeve vazhdon të rritet me kalimin e kohës. Përpjekjet tona për të reduktuar këtë fenomen nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Nevojitet një harmonizim më i mirë i ligjeve dhe metodave administrative për të ruajtur aftësinë tonë për t’u përballur me këtë problem“, deklaroi Shkarnulis.
Hristos Harpantidis, drejtor i përgjithshëm për çështje korporative në „Philip Morris“, theksoi se përballja me problemin e tregtisë ilegale kërkon një aksion të koordinuar që përfshin zbatim më të fortë të ligjit, bashkëpunim publiko-privat dhe fokus në rregullore që është e balancuar, e bazuar në dëshmi dhe e zbatueshme në praktikë.
Raporti veçon disa vende anëtare të BE-së, si Francën, Belgjikën dhe Holandën, ku konsumi ilegal është rritur nën ndikimin e masave rregullatore më të rrepta. Franca vazhdon të jetë tregu më i madh ilegal i cigareve në Evropë, me 41.4% pjesëmarrje ilegale në konsumin e përgjithshëm. Në Belgjikë kjo pjesë arrin në 24.8%, ndërsa në Holandë kap shifrën 22.1%.
Nga ana tjetër, ka vende që kanë arritur rënie të tregtisë ilegale përmes politikave të balancuara që ndërthurin qasje fiskale të parashikueshme, rregullore proporcionale dhe zbatim të qëndrueshëm të saj. Kështu, Greqia shënon 14.1% pjesëmarrje të tregtisë ilegale, e rënë nga mbi 20% sa ishte në vitet e kaluara. Rezultate pozitive tregon edhe Ukraina, e cila me gjithë mjedisin sfidues të sigurisë ka arritur ta zvogëlojë tregtinë ilegale për pothuajse 1 miliard cigare.
Situata në Maqedoni
Në Maqedoni, konsumi i cigareve ilegale mbetet relativisht i ulët në krahasim me shumë tregje në BE, por më e rëndësishmja është rritja e qartë e pjesës së saj në treg.
Duke qenë se cigaret ilegale përbëjnë rreth 3.6% të konsumit të përgjithshëm dhe janë rritur për afërsisht 1.3 pikë përqindjeje në krahasim me vitin paraprak, të dhënat tregojnë se tregu nuk është stabil, por po zgjerohet.
Kjo rritje duhet të kuptohet si një sinjal i hershëm për ndryshime në sistem. Ajo tregon se cigaret ilegale po bëhen më lehtë të aksesueshme ose më tërheqëse për konsumatorët. Edhe nëse niveli mbetet i moderuar, rritja nënkupton se presioni mbi tregun legal po shtohet, ndërsa furnizimi ilegal po bëhet më aktiv.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo analizë nuk përfshin duhanin ilegal të dredhur me dorë, i cili paraqet një sfidë të veçantë dhe shpesh më të madhe në Maqedoninë e Veriut (rreth 13% në total).
Veçanërisht e rëndësishme është se një rritje e tillë rrallëherë buron vetëm nga ndryshimet lokale në konsum. Në kontekstin e analizës së KPMG-së, rritjet zakonisht lidhen me një dinamikë të përforcuar të furnizimit, që do të thotë se produktet hyjnë më lehtë dhe në sasi më të mëdha në treg përmes rrymave më të gjera rajonale. Kjo tregon se vendi gradualisht po zhvendoset nga një treg kryesisht destinacion, drejt një pozicioni si pjesë e lëvizjes dhe rishpërndarjes së produkteve ilegale në rajon.
