Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjilanit ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, përkatësisht fishekzjarrëve, në hapësirat publike.
Vendimi është nxjerrë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në bazë të nenit 13 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe nenit 78 të Statutit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Sipas urdhëresës, ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve në vende të hapura publike, si tregje, rrugë dhe sheshe. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.
Përjashtim nga kjo ndalesë bëhet vetëm në natën e ndërrimit të viteve, respektivisht nga ora 23:30 e datës 31 dhjetor 2025 deri në orën 00:30 të datës 1 janar 2026.
Në urdhëresë thuhet se personat që veprojnë në kundërshtim me këtë vendim do të gjobiten me 100 euro. Për zbatimin e masës do të kujdesen Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia e Kosovës.
Komuna e Gjilanit u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë vendim, duke kontribuar në një festim më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë. /Telegrafi/