Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se ka nisur vizitat në punishtet e projekteve arsimore, duke filluar nga lagjja Kodra e Trimave, të cilën e ka cilësuar si një zonë që ka nevojë për më shumë investime.
Përmes një postimi në Facebook, Elshani ka njoftuar se në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Zenel Hajdini” po realizohen ndërhyrje që lidhen me organizimin e mësimit tërëditor.
“Po e filloj vizitën e punishteve nga Kodra e Trimave, një lagje që ka nevojë për më shumë investime dhe që do të jetë në fokusin tim”, ka shkruar ai.
Sipas tij, duke filluar nga 1 shtatori, nxënësit e kësaj shkolle do të kenë në dispozicion një hapësirë të veçantë për ngrënie.
“Në Shkollën ‘Zenel Hajdini’, nga 1 Shtatori nxënësit do ta kenë hapësirën e veçantë të ngrënies, si pjesë e organizimit të mësimit tërëditor”, ka theksuar Elshani.
Drejtori i Arsimit ka vlerësuar se cilësia e jetës shkollore nuk lidhet vetëm me procesin mësimor në klasa, por edhe me kushtet që u ofrohen nxënësve gjatë qëndrimit në shkollë.
“Kur flasim për shkollën, shpesh mendojmë për klasat. Por një ditë e mirë në shkollë ndërtohet edhe nga kushtet që i kanë nxënësit gjatë gjithë ditës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
