Një episod i pazakontë shënoi ndeshjen mes Paraguait dhe Turqisë në Kupën e Botës 2026, ku protagonisti u bë mesfushori paraguajan Matias Galarza.
Galarza ishte heroi i ekipit të tij duke realizuar golin e fitores, por pas përfundimit të takimit vëmendja e tifozëve dhe mediave u përqendrua te një moment kurioz që ndodhi gjatë lojës.
Gjatë një përplasjeje mes lojtarëve në fushë, gjyqtari i ndeshjes, Ivan Barton, humbi orën e tij.
Galarza e gjeti atë në barin e stadiumit, e mori dhe madje e vendosi në dorë, duke vazhduar lojën për disa minuta me orën e gjyqtarit në kyç.
Pamjet e incidentit u përhapën shpejt në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime dhe komente të shumta nga tifozët, të cilët e cilësuan situatën si një nga momentet më të veçanta dhe argëtuese të këtij Botërori.
Në fund, gjithçka u zgjidh pa probleme, pasi ora iu kthye gjyqtarit Barton, ndërsa Galarza mbeti në qendër të vëmendjes jo vetëm për golin vendimtar, por edhe për episodin e pazakontë që i dha një ngjyrim interesant sfidës Paraguay-Turqi. /Telegrafi/
