Qytetarët e Kosovës sot i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Ndonëse, për të disatën herë brenda një periudhe të shkurtër kohore i drejtohen kutive të votimit, në zgjedhjet e 7 qershorit listës së votuesve i janë shtuar 22,685 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rikujtoi se lista votuese e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës është certifikuar nga KQZ më 21 maj 2026 dhe sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.
Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:
16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe
5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801.
Ky numër përfshin:
6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe
217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Ndërkaq, të shtunën, më 6 qershor votimi është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. /Telegrafi/
