Partitë e djathta në Zvicër, FDP dhe SVP, po kërkojnë ndryshimin e sistemit të pensioneve, duke propozuar që mosha e pensionimit të mos përcaktohet vetëm nga vitet e jetës, por edhe nga numri i viteve të punës dhe kontributet e paguara gjatë karrierës.
Sipas mediumit zviceran Watson, ideja parasheh që personat që hyjnë herët në tregun e punës të kenë mundësi të dalin më herët në pension, ndërsa ata që fillojnë punën pas studimeve të punojnë më gjatë.
Kështu, një punëtor ndërtimi që nis zanatin në moshën 16-vjeçare mund të pensionohet më herët sesa një person që përfundon studimet universitare dhe fillon punën në moshën 25-vjeçare.
Një model i propozuar nga organizata e punëdhënësve Centre Patronal parasheh që përfitimi i pensionit të plotë të lidhet me 44 vite kontribute.
Sipas këtij modeli, personat që fillojnë të punojnë në moshën 18-vjeçare mund të dalin në pension më herët se ata që fillojnë në moshën 25-vjeçare, transmeton Telegrafi.
SVP e mbështet këtë ide, por kërkon që një vit të llogaritet si vit kontributesh vetëm nëse personi ka realizuar të ardhura vjetore prej të paktën 36.288 frangash.
Kjo mund të krijojë vështirësi për punëtorët me paga të ulëta dhe ata që punojnë me orar të pjesshëm.
Edhe FDP e ka mbështetur diskutimin për një sistem të bazuar në kohëzgjatjen e punës, ndërsa propozon gjithashtu një mekanizëm automatik për përshtatjen e moshës së pensionimit në rast të problemeve financiare të AHV-së, sistemit të sigurimit të pleqërisë në Zvicër.
Megjithatë, zbatimi i këtij modeli përballet me pengesa të shumta.
Një nga çështjet kryesore është mënyra se si do të llogariten periudhat e papunësisë, puna me orar të pjesshëm, pushimi i lehonisë, kujdesi për fëmijët dhe përkujdesja ndaj prindërve.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se si do të trajtohen personat që emigrojnë në Zvicër në moshë më të madhe dhe që nuk kanë mundur të paguajnë kontribute për shumë vite në këtë shtet. Kundërshtime kanë shprehur edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (SP), të cilët paralajmërojnë se një sistem i tillë mund të prekë më shumë punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Edhe Shoqata e Punëdhënësve në Zvicër e konsideron modelin të vështirë për t’u zbatuar. Ndërkohë, Qeveria Federale po shqyrton mundësitë për reformimin e AHV-së përmes projektit AHV 2030, por deri më tani nuk ka vendosur për zbatimin e një sistemi të tillë.
Për rrjedhojë, mosha aktuale e referencës për pensionim mbetet 65 vjeç për burrat dhe gratë, ndërsa propozimet e FDP-së dhe SVP-së janë ende pjesë e debatit politik./Telegrafi/

