Qeveria e Zvicrës synon të vendosë taksë parandaluese edhe për cigaret elektronike dhe produktet e tjera me nikotinë, duke i përfshirë ato në të njëjtin sistem të kontributeve që aktualisht zbatohet për cigaret tradicionale.
Propozimi është bërë nga Këshilli Federal në kuadër të përpjekjeve për të forcuar parandalimin e varësisë nga duhani dhe nikotina.
Aktualisht, që nga viti 2024, cigaret elektronike i nënshtrohen tatimit federal mbi duhanin, por nuk paguajnë kontributin për Fondin e Parandalimit të Duhanit.
Qeveria vlerëson se kalimi gjithnjë e më i madh i konsumatorëve nga cigaret tradicionale te produktet alternative po zvogëlon të ardhurat e këtij fondi, shkruan Swissinfo.
Sipas Këshillit Federal, produktet e reja me nikotinë paraqesin gjithashtu rreziqe për shëndetin, veçanërisht për shkak të përhapjes së tyre te të miturit dhe të rinjtë.
Për këtë arsye, propozohet që kontributi për parandalimin e konsumit të duhanit të zgjerohet edhe për cigaret elektronike dhe produktet si snus-i, transmeton Telegrafi.
Aktualisht, për çdo paketë cigareje tradicionale të shitur në Zvicër, 2.6 cent shkojnë në Fondin e Parandalimit të Duhanit.
Mjetet e mbledhura përdoren për financimin e projekteve dhe masave që synojnë uljen e konsumit të duhanit dhe nikotinës, ndërsa 20% e të ardhurave ndahen për projekte sportive dhe aktivitete fizike.
Ndryshimi i propozuar pritet të shqyrtohet në kuadër të rishikimit të ardhshëm të Ligjit Federal për Tatimin e Duhanit.
Megjithatë, autoritetet zvicerane ende nuk kanë përcaktuar një datë konkrete për hyrjen në fuqi të masës. /Telegrafi/

