Rritja e qirave, sigurimeve shëndetësore, ushqimeve, karburanteve dhe energjisë po ngushton gjithnjë e më shumë buxhetet familjare.
Në Vevey, qytetarët thonë se çmimet po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar. Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta janë më të prekurit, por presioni financiar po ndihet edhe te klasa e mesme, transmeton Telegrafi.
Një familje në Lucens me 11,200 franga neto në muaj shpenzon mbi 7,000 franga vetëm për kostot fikse.
Sipas një studimi të Qualinsight, 89% e banorëve të Zvicrës frankofone monitorojnë shpenzimet mujore. Mbi gjysma kanë shkurtuar shpenzimet për pushime dhe kohën e lirë, ndërsa 47% kanë kursyer edhe në ushqim.
Debati ka mbërritur edhe në Bernë: e majta kërkon masa më të forta ndaj rritjes së qirave dhe çmimeve të karburanteve, ndërsa e djathta kërkon ulje taksash për familjet.
Për shumë familje zvicerane, të ardhurat mbeten relativisht të qëndrueshme, por hapësira për kursime, udhëtime dhe shpenzime të papritura po zvogëlohet./Telegrafi/