Qeveria zvicerane ka vendosur të mundësojë shfrytëzimin e mëtejshëm të rezervave strategjike të kerozinës, me qëllim të garantimit të furnizimit të aeroporteve dhe parandalimit të mungesës së karburantit për avionë.
Vendimi vjen pas problemeve të vazhdueshme me furnizimet nga rafineritë evropiane dhe kufizimeve në transportin hekurudhor dhe përmes tubacioneve, të cilat kanë vështirësuar dërgesat e karburantit drejt Zvicrës.
Sipas Zyrës Federale për Furnizimin Ekonomik, situata e furnizimit me kerozinë mbetet e tensionuar, ndërsa rezervat operative në aeroportet zvicerane kanë rënë në nivele të ulëta.
Aeroporti i Cyrihut furnizohet kryesisht përmes transportit hekurudhor nga Gjermania, ndërsa aeroporti i Gjenevës përmes një tubacioni nga Franca, shkruan Swissinfo.
Të dyja rrugët e furnizimit po përballen me kufizime të kapaciteteve dhe ndërprerje të herëpashershme.
Për këtë arsye, Departamenti Federal i Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit ka miratuar një rregullore të re, e cila hyn në fuqi më 30 nëntor 2026 dhe mundëson lirimin e sasive shtesë nga rezervat e detyrueshme shtetërore, transmeton Telegrafi.
Sipas të dhënave zyrtare, nga 15 tetori deri më 29 nëntor në treg janë vënë rreth 18 për qind e rezervave të detyrueshme të kerozinës.
Meqë autoritetet përgjegjëse kishin shfrytëzuar pothuajse të gjithë kompetencën e tyre për lirimin e rezervave, tashmë është krijuar baza ligjore për vazhdimin e kësaj mase.
Një tjetër faktor shqetësues është rritja e pritshme e kërkesës për kerozinë gjatë muajit dhjetor, pas rënies sezonale të konsumit në nëntor.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se sasitë e liruara nga rezervat duhet të ofrohen në tregun vendor dhe se kompanitë përkatëse obligohen të dokumentojnë dhe raportojnë ndryshimet në rezervat e tyre.
Ndërkohë, furnizimi me benzinë dhe naftë për momentin mbetet i siguruar, ndonëse edhe këta sektorë po përballen me një situatë të tensionuar.
Me këtë vendim, Zvicra synon të garantojë vazhdimësinë e furnizimit me karburant për aviacionin dhe të shmangë pengesat e mundshme në funksionimin e aeroporteve të saj./Telegrafi/

