Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se Kosova mund të humbë fonde të konsiderueshme nga Plani i Rritjes nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.
Zulfaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 131.4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Sipas tij, në mungesë të një Kuvendi funksional dhe një Qeverie me kapacitet të plotë, Kosova rrezikon të humbë afër 90 milionë euro.
“Prandaj, nëse Kuvendi nuk e zgjedh Presidentin sot, vihet në rrezik zbatimi i një pjese të madhe të reformave të Planit të Rritjes”, ka shkruar Zulfaj.
Ai ka përmendur edhe projektligjet që, sipas tij, mbetën të bllokuara në qershor për shkak të situatës në Kuvend dhe për të cilat Kosova rrezikon të humbë mbi 40 milionë euro.
Zulfaj ka thënë se këto projektligje janë miratuar sërish në Qeveri dhe i janë dërguar Kuvendit, ndërsa të hënën kanë kaluar në lexim të parë.
“Nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, edhe këto projektligje nuk shkojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend”, ka deklaruar ai.
Në mesin e tyre, Zulfaj ka përmendur edhe ligjin që do t’i mundësonte Kosovës të bëhej pjesë e SEPA-s, duke thënë se çdo vit jashtë kësaj skeme u kushton qytetarëve dhe bizneseve kosovare rreth 55 milionë euro.
Në fund, Zulfaj ka kritikuar opozitën, duke e akuzuar për bllokim institucional.
“Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve”, ka shkruar ai./Telegrafi/