Një zjarr ka shpërthyer të shtunën në një banesë në lagjen Tophane në Prishtinë, por nuk ka persona të lënduar.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin Abdusamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Sipas Shkodrës, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve është informuar për rastin në orën 14:23, pas raportimit për zjarr në një banesë.
Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë intervenuar në banesën që ndodhej në katin e gjashtë të ndërtesës.
Zjarri kishte nisur në banjën e banesës, ndërsa falë intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve, është vënë nën kontroll dhe është shuar brenda një kohe të shkurtër.
Sipas Shkodrës, nga ky incident nuk ka persona të lënduar. /Telegrafi/