Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se zhvillimet në kryeqytet kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim politik dhe vendimmarrje të përgjegjshme, duke konfirmuar edhe zgjerimin e bashkëqeverisjes me disa subjekte politike.
Sipas Ramës, qeverisja duhet të mbetet në funksion të qytetarit dhe jo të interesave të ngushta politike.
“Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit. Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për realizimin e të mirës publike.
“Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin”, është shprehur ai.
Duke folur për fazën aktuale të zhvillimit të Prishtinës, Rama e ka cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm historik.
“Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, këto procese kërkojnë stabilitet institucional dhe bashkëpunim të gjerë politik.
“Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë thirrje edhe për shmangie të retorikës përçarëse.
“Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një popull, një shtet. Prandaj duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshme institucionale”, ka theksuar ai.
Rama ka konfirmuar se është finalizuar bashkëqeverisja në Kryeqytet me disa parti politike.
“Kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”, ka bërë të ditur ai.
Sa i përket emërimeve, Rama ka sqaruar se ato janë bërë në përputhje me propozimet e strukturave të brendshme të LDK-së.
“Emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë bërë konform propozimeve të ardhura nga ‘Kolegjiumi’ i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm që garanton përfaqësim dhe legjitimitet të brendshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se janë emëruar edhe përfaqësues të partnerëve të koalicionit.
Në fund, Rama ka shprehur mirënjohje për zyrtarët e deritanishëm dhe mbështetje për ata të rinj.
“Shpreh mirënjohje të veçantë për drejtorët e deritanishëm për profesionalizmin dhe kontributin e tyre, ndërsa drejtorëve të rinj u uroj suksese dhe përgjegjësi të lartë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë mbështetjen për LDK-në edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar nevojën për stabilitet dhe zhvillim në vend.
“Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/