E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi është vënë në pikëpyetje, pasi futbollisti kosovar vazhdon të ketë hapësira të kufizuara në skuadrën italiane. Me afrimin e afatit kalimtar të janarit, tri klube raportohet se kanë shprehur interesim për shërbimet e tij.
Sipas mediumit italian “Tuttomercatoweb” (TMW), Al-Ittihad nga Arabia Saudite, Monaco nga Franca dhe Besiktas nga Turqia janë skuadrat që po e monitorojnë situatën e 27-vjeçarit.
Al-Ittihad kishte shfaqur interesim për Zhegrovën edhe gjatë verës, ndërsa tani raportohet se është rikthyer në garë për transferimin e tij, veçanërisht pas lëndimit të anësorit Roger Fernandes.
Në anën tjetër, Monaco dhe Besiktas po e ndjekin me vëmendje situatën e reprezentuesit kosovar, i cili ende nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari te gjiganti italian.
Zhegrova iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2025 për 15 milionë euro, plus bonuse, por problemet fizike dhe konkurrenca e madhe në skuadër kanë ndikuar në minutazhin e tij.
Sezonin e kaluar, ai regjistroi 19 paraqitje në Serie A, të gjitha si zëvendësues, ndërsa edhe në nëntë ndeshjet e zhvilluara këtë edicion 2026/27 është aktivizuar nga banka rezervë.
Një nga paraqitjet e tij më të gjata së fundmi ishte me fanellën e Kosovës kundër Izraelit, ku luajti 82 minuta në barazimin pa gola, 0:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Afati kalimtar i janarit mund të jetë vendimtar për të ardhmen e Zhegrovës, i cili synon të ketë më shumë minuta në fushë dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Mbetet të shihet nëse interesimi i tri klubeve do të konkretizohet me oferta zyrtare dhe nëse Juventusi do të jetë i gatshëm ta lejojë largimin e yllit kosovar.

