Aktorja njihet për ndryshimet e shpeshta të frizurave dhe imazhit gjatë gjithë karrierës, por me flokë kaq të shkurtër deri tani është parë rrallë
Zendaya (30) këto ditë i ka befasuar fansat me një pamje të re, konkretisht me një nga frizurat më të shkurtra që ka mbajtur ndonjëherë. Aktorja u shfaq me flokë të shkurtër dhe të valëzuar, në stilin e njohur si pixie, gjatë një daljeje me koleget e saj nga seriali “Euphoria”, Hunter Schafer dhe Alexa Demie, në restorantin japonez Rule of Thirds në Brooklyn.
Natyrisht, pamja e re nuk kaloi pa u vënë re nga fotografët që i prisnin aty.
Zendaya e tregoi frizurën e re edhe në një video promovuese të publikuar në Instagram nga Prada Beauty, markë për të cilën ajo është imazh përfaqësues, ndërsa reagimet për ndryshimin kanë qenë kryesisht pozitive.
Kjo nuk është hera e parë që Zendaya eksperimenton me flokët. Përkundrazi, gjatë viteve ajo ka ndryshuar shpesh stilin, ndërsa disa prej transformimeve kanë qenë pjesë e roleve të saj në filma, e disa të tjera janë kujtuar po aq sa edhe fustanet e saj në tapetin e kuq.
Sot ajo duket se është rikthyer te faza e flokëve të shkurtër. Procesin e shkurtimit e kishte nisur që në qershor, por para se të bëhej adhuruese e prerjeve më të shkurtra, flokët e gjatë ishin një nga elementet më karakteristike të pamjes së saj.
Kur u shfaq si adoleshente në serialin e Disney-t “Shake It Up”, ajo mbante zakonisht flokë të gjatë në ngjyrë kafe të errët, të drejtë ose lehtësisht të valëzuar. Ishte një pamje tipike për një yll të ri të Disney-t, por edhe atëherë shihej se Zendaya nuk kishte frikë të eksperimentonte me stilin e saj.
Me rritjen dhe zhvillimin e karrierës, ajo nisi ta tregonte gjithnjë e më shpesh strukturën natyrale të flokëve.
Kaçurrelat e mëdha dhe frizurat afro u bënë pjesë e rëndësishme e identitetit të saj vizual, ndërsa flokët natyralë me kalimin e kohës u shndërruan në një nga pamjet më të dallueshme të aktores.
Frizura e re pixie, me onde të buta dhe një frymë të lehtë retro, është një tjetër dëshmi se Zendaya vazhdon të ndryshojë pamjen pa humbur stilin e saj karakteristik. /Telegrafi/