Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka ironizuar pas dy doktorë në Gjilan janë arrestuar të dielën nën dyshimet se u kanë kërkuar pacientëve ryshfet për të kryer ndërhyrje.
Ai tha se në vazhdimësi kanë ngritur zërin dhe shqetësimet e tyre “për degradimin e plotë të strukturës organizative nga Qeveria Kurti dhe ministrat e tij të shëndetësisë me ndërhyrjet dhe vendosjen e militantëve politik në QKUK dhe në spitalet rajonale”.
Sipas tij, tani ka vluar edhe korrupsioni e nepotizmi, “krejt kjo në kurriz të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës”.
“Sigurisht e fatkeqësisht, si zakonisht, tani dalin i sulmojnë hetuesit dhe prokurorët duke iu dalur kështu në mbrojtje shkelësve të ligjit. Kryeministri, prokurori dhe gjykatësi Kurti e ka fjalën e fundit. Verdikti dihet; shkelësit e ligjit – të VV-së, nuk duhet të hetohen, aq më pak të denohen”, shkroi ai në Facebook.
Për arrestimin e dy mjekëve, Prokuroria Themelore e Gjilanit do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore.
Kështu njoftoi zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Policia e Kosovës njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, një anesteziolog është prangosur nën dyshimin se kishte kërkuar ryshfet në vlerë 100 euro nga pacienti për të kryer një ndërhyrje.
Kurse, doktori tjetër që është kirurg thuhet se i marrë 330 euro nga një pacient për kryerjen e shërbimeve. Madje ai sipas Policisë, i kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
Paparaci mëson se bëhet fjalë për anesteziologun Halil Bashën dhe kirurgun Luan Mustafën.
Në komunikatën e PK-së bëhet e ditur se të njëjtit janë në ndalim prej 48 orësh.