Negociatorët amerikanë kanë hedhur si mundësi tërheqjen e forcave të mbetura ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit, në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Kështu ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Deklarata e Zelenskyt, të shtunën, vjen pas vizitës së të dërguarve amerikanë në Moskë dhe pjesëmarrjes në një samit të BE-së në Dublin, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kievi prej kohësh e ka kërkuar anëtarësimin në NATO si një nga kushtet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e kërcënimeve të ardhshme. Ndërkaq, Rusia ka deklaruar se nuk mund të pranojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake, duke e konsideruar të papranueshme praninë e një tjetër vendi të NATO-s në kufijtë e saj.
Zelensky ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territoret e saj sovrane, pavarësisht kërkesave të Moskës për t’ia dorëzuar Donbasin.
“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po nëse Ukraina anëtarësohet në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që u ngrit një çështje e tillë”, u tha Zelensky gazetarëve të shtunën.
Ai shtoi se nëse do të merrte një propozim që përfshin garanci të sigurisë, mungesë të kufizimeve për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit, do ta dërgonte atë për votim në referendum, shkruan BBC.
Të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff udhëtuan të enjten drejt kryeqytetit irlandez për t’u takuar me Zelenskyn, pas një raundi bisedimesh me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.
Deklaratat e Putinit dhe zyrtarëve të Kremlinit sugjerojnë se qëndrimi i Rusisë për luftën nuk ka ndryshuar. Kërkesat e Moskës për territore dhe neutralitetin e Ukrainës vazhdojnë të jenë shumë më të mëdha sesa ato që Kievi është i gatshëm të pranojë.
Më herët, Moska kishte propozuar kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase, lëshime territoriale dhe garantimin e neutralitetit të Kievit si kushte për një marrëveshje paqeje.
Ukraina i ka refuzuar këto kërkesa, duke argumentuar se kufizime të tilla do ta dobësonin aftësinë e saj për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm në të ardhmen.
Megjithatë, së fundmi janë shfaqur disa shenja se palët mund të gjejnë pika të përbashkëta. Muajin e kaluar, Melania Trump, bashkëshortja e presidentit amerikan Donald Trump, arriti të ndërmjetësonte një armëpushim të përkohshëm në rajonin e Hersonit, me qëllim mundësimin e evakuimeve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.
Zyrtarët amerikanë kishin deklaruar më herët se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte pjesë e mundësive që po shqyrtoheshin.
Megjithatë, Zelensky tha të shtunën se propozimi amerikan e ka bërë të besojë se “NATO-ja është rikthyer në agjendë”.
Por ai paralajmëroi se bisedimet mbeten të vështira.
“Ju i keni dëgjuar gjithashtu sinjalet e Putinit dhe kjo është një bisedë jashtëzakonisht e vështirë”, tha presidenti ukrainas.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve Donjeck dhe Luhansk, të cilat përbëjnë rajonin e Donbasit.
Dorëzimi i pjesëve të vogla të territorit që Ukraina ende kontrollon në këtë rajon do të kishte një rëndësi të madhe simbolike për Kievin, pasi do të nënkuptonte pranimin e Donbasit si territor rus.
Zelensky ka deklaruar më herët se synimi i Ukrainës mbetet rikthimi i territoreve të pushtuara nga Rusia në katër rajone ukrainase, si dhe i gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.
Ky raund i fundit i bisedimeve vjen pas një periudhe tensionesh mes Kievit dhe Washingtonit, të shkaktuara nga sulmet ukrainase ndaj objekteve të naftës thellë brenda territorit rus.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte kërkuar Ukrainës që t’i pezullonte këto sulme, me qëllim lehtësimin e furnizimit me naftë dizel ruse dhe uljen e çmimeve globale të karburanteve, të cilat janë rritur që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin në shkurt.
Më pas, Zelensky akuzoi zyrtarët amerikanë se po kufizonin shërbimin e internetit Starlink, të cilin Ukraina e përdor për koordinimin e operacioneve mbrojtëse.
Ndërkaq, Trump deklaroi se “ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”, duke kërkuar zgjedhje të reja në vend.
Zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të gjendjes së luftës, por Zelensky ka thënë më herët se është i gatshëm që ato të mbahen brenda pak muajsh pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Ai ka deklaruar gjithashtu se do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga presidenca në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

