Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, si një “mjet jashtëzakonisht të fuqishëm” që mund të ushtrojë presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës.
“Ky ligj, së bashku me hapa të tjerë të fuqishëm të sanksioneve nga partnerët tanë kundër burimit të kësaj lufte – Rusisë – është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm që mund ta ndalë këtë luftë dhe ta çojë Rusinë në pikën ku duhet të bëjë paqe”, tha Zelensky.
Ai theksoi se sanksionet duhet të jenë të forta në mënyrë që përpjekjet diplomatike për paqe, përfshirë bashkëpunimin e Ukrainës me SHBA-në, Evropën dhe partnerët e tjerë, të kenë sukses, transmeton Telegrafi.
Zelensky falënderoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, senatorët dhe drejtuesit e Kongresit amerikan për mbështetjen e legjislacionit.
“Rusia duhet t’i japë fund kësaj lufte”, tha ai.
Presidenti ukrainas e cilësoi gjithashtu si “simbolike” që në të njëjtën natë kur Kongresi miratoi paketën e sanksioneve, Rusia ndërmori një tjetër sulm ndaj Ukrainës me raketa balistike, raketa të tjera dhe dronë. /Telegrafi/