Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë në anën e presidentit rus, Vladimir Putin, pasi Rusia është agresore në luftën kundër Ukrainës.
Zelensky theksoi se SHBA-ja dhe presidenti i saj nuk duhet të mbështesin një agresor, pavarësisht se për cilin shtet bëhet fjalë, duke nënvizuar se ato përfaqësojnë demokracinë.
Ai kritikoi presidentin amerikan, Donald Trump, për demonstrimin publik të marrëdhënieve të mira me Putinin, duke paralajmëruar se kjo mund t’i japë presidentit rus përshtypjen se gjithçka po shkon mirë dhe se nuk po përballet me presion të mjaftueshëm.
“Nuk e di se çfarë nuk shkon me Putinin. A është krejtësisht i çmendur, gjysmë i çmendur apo 10 për qind i çmendur?”, tha Zelensky.
Ai shprehu shpresën se Putini e kupton atë që po bën, ndërsa theksoi se mungesa e sinjaleve të forta nga Uashingtoni mund ta bindë atë se veprimet e tij po japin rezultat.
Në fund, Zelensky nënvizoi se Ukraina ka nevojë për dënime më të shpeshta dhe më të qarta të agresionit rus.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/

