Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka folur pas reagimeve të shumta ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për Oliver Ivanoviq, të cilit i thuri “lavde” gjatë një fjalimi dje, ani pse Ivanoviq ka qenë i dënuar për krime lufte në Kosovë, për vrasjen e civilëve shqiptarë.
Përmes një postimi në Facebook, Manxhuka ka deklaruar se është interesante dhe qesharake kur sheh mediume që krahasojnë deklaratat e mëhershme të Kurtit ku Ivanoviqin e cilësonte “kriminel lufte” me deklaratat që i tha dje.
“Asgjë nuk ka ndryshuar, ajo çka KM Kurti ka bërë tash është nxjerrja e kundërthënies së brendshme në Serbi dhe vrasja potenciale e dikujt që praktikisht ka pasur shumë të tregojë për Serbinë, krimet në veri e bashkëpunimin me disa shqiptarë”, ka deklaruar Manxhuka.
Tutje, ai ka thënë se edhe komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje për Oliver Ivanoviqin nuk është në kundërshtim me videon e djeshme, por përkundrazi sipas Manxhukës, është avansim i asaj çka kjo lëvizje ka deklaruar.