Një plantacion gjigant kanabisi është zbuluar nga autoritetet italiane në një ish-kompleks industrial të braktisur në Altedo, në provincën e Bolonjës.
Në pranga ka përfunduar një 57-vjeçar shqiptar, ndërsa gjashtë shtetase të tjera shqiptare janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Sipas raportimit të medias italiane Corriere di Bologna, operacioni u zhvillua nga karabinierët, të cilët zbuluan një sipërfaqe të madhe të kthyer në një plantacion të mirëfilltë kanabisi, transmeton Telegrafi.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën qindra kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e së cilës ishte e sapokorrur, një pjesë në proces tharjeje dhe pjesa tjetër e paketuar në thasë plastikë, gati për t’u hedhur në treg.
Sasia e drogës së sekuestruar është ende në proces përllogaritjeje, por sipas autoriteteve mund t’i afrohet një ton.
Në momentin e ndërhyrjes, karabinierët kanë konstatuar tre persona që po merreshin me përpunimin e lëndës narkotike, e cila ishte vendosur në rrjeta tharjeje me gjatësi rreth 20 metra.
Tre personat tentuan të largoheshin sapo vunë re forcat e policisë. Dy prej tyre arritën të arratiseshin dhe aktualisht janë në kërkim, ndërsa i treti, një 57-vjeçar me origjinë shqiptare, u arrestua në flagrancë.
Gjithashtu, gjashtë gra shqiptare, të moshës 51 deri në 65 vjeç, janë denoncuar në gjendje të lirë për përfshirje të dyshuar në të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë kontrolleve në ish-kompleksin industrial, autoritetet zbuluan edhe bimë kanabisi që ishin ende në tokë dhe në proces rritjeje, si dhe një kamp të improvizuar me tenda, që dyshohet se përdorej nga personat e përfshirë në kultivim.
Operacionet e pastrimit dhe sekuestrimit të lëndës narkotike pritet të vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e dy personave të arratisur./Telegrafi/

