Është përfunduar sot në Prishtinë murali kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.
Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe synon të ndërtojë një rrëfim vizual mbi luftën, mungesën, burgimin dhe lirinë.
Me rastin e përfundimit të veprës, nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, drejtori i Kulturës, Isah Mustafa, dhe artistja OrangeGirl, e cila e ka realizuar muralin, kanë vizituar hapësirën ku ai tashmë është bërë pjesë e peizazhit urban të kryeqytetit.
Musmurati ka thënë se murali është një vepër që lidhet me kujtesën, sakrificën dhe lirinë, si dhe me një histori që, sipas saj, për Kosovën ende nuk është mbyllur.
“Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, ka thënë ajo.
Sipas Musmuratit, katër portretet paraqesin një pjesë të historisë së Kosovës, nga uniforma e UÇK-së dhe lufta për liri, te angazhimi për ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë.
Ajo ka shpjeguar edhe simbolikën e elementeve të muralit.
“Teli simbolizon kufizimin dhe izolimin. Zogjtë mbi të, lirinë që nuk mund të burgoset”, ka thënë Musmurati.
“Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve”, ka shtuar ajo.
Murali tashmë është pjesë e hapësirës publike të Prishtinës dhe, sipas përfaqësuesve të Kryeqytetit, synon ta mbajë të gjallë kujtesën kolektive për luftën dhe sakrificën.