Autoritetet sllovene kanë zbuluar fabrikën më të madhe ilegale të cigareve në historinë e vendit, ku dyshohet se një grup kriminal shfrytëzonte punëtorë të huaj në kushte çnjerëzore.
Vlera e mallrave të konfiskuara vlerësohet në rreth 30 milionë euro, ndërsa policia po heton edhe dyshimet për trafikim me njerëz.
Fabrika ishte vendosur në një objekt industrial në zonën Trimlini të Sllovenisë, pranë qytetit të Lendavës, jo larg pikëkalimit kufitar Petishovci.
Hetimet nisën pasi zyrtarët e administratës financiare ndaluan një kamion të dyshimtë në rrugën ndërmjet Lendavës dhe Petishovcit. Kontrolli çoi në zbulimin e objektit ku prodhoheshin ilegalisht cigare, raportojnë mediat.
Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e mallrave të konfiskuara arrin në rreth 30 milionë euro, duke e renditur operacionin ndër konfiskimet më të mëdha të këtij lloji në Bashkimin Evropian gjatë periudhës së fundit.
Përveç prodhimit të paligjshëm, hetuesit zbuluan edhe kushte të rënda në të cilat jetonin dhe punonin të huajt. Sipas informacioneve jozyrtare, në objekt ndodheshin të paktën 20 shtetas të huaj, që dyshohet se vinin nga Paraguai dhe detyroheshin të punonin nga organizata kriminale.
Punëtorët u kanë thënë hetuesve se mbaheshin të mbyllur brenda fabrikës dhe se për të paktën 25 ditë nuk e kishin parë dritën e diellit.
Ata flinin në të njëjtin objekt ku punonin, ndërsa ushqimi u dërgohej vetëm gjatë natës. Rrethanat në të cilat mbaheshin kanë ngritur dyshime për shfrytëzim të rëndë të punëtorëve dhe trafikim me njerëz.
Policia heton lidhjet me rrjetet ndërkombëtare kriminale
Policia sllovene ka konfirmuar se hetimet nuk lidhen vetëm me prodhimin e paligjshëm të duhanit, por edhe me dyshimet për trafikim me njerëz.
Hetuesit e Zyrës Kombëtare të Hetimeve (NPU) kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes për disa ditë, ndërsa zona përreth është siguruar nga zyrtarë policorë të armatosur.
Autoritetet dyshojnë se grupi kriminal që drejtonte fabrikën kishte lidhje me rrjete ndërkombëtare kriminale. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e organizatës dhe rrethanat në të cilat punëtorët e huaj ishin sjellë dhe shfrytëzuar në Slloveni. /Telegrafi/

