Veterani i Brentfordit, Jordan Henderson, bëri një paraqitje surprizë nga stoli në minutat e fundit të fitores 2-0 të Anglisë ndaj Panamasë në ndeshjen e fundit të fazës grupore të Kupës së Botës.
Duke hyrë në fushë në minutën e 84-t, 36-vjeçari shkroi histori, pasi u bë lojtari i parë anglez që ka luajtur në katër edicione të Kupës së Botës.
Që nga debutimi i tij në Botërorin e vitit 2014, Henderson ka regjistruar 12 paraqitje në katër turne të ndryshëm.
Për më tepër, mesfushori u bë futbollisti i parë i Anglisë që ka marrë pjesë në shtatë turne të mëdha ndërkombëtare me kombëtaren.
“Koha fluturon, apo jo?”, tha Henderson për ITV, duke komentuar arritjen e tij.
“Është vërtet çmenduri. Gjithmonë e kam thënë se sa i nderuar jam që përfaqësoj vendin tim që nga dita kur debutova.
“Të jem ende në gjendje ta bëj këtë tani është një ëndërr e bërë realitet. Të futem në fushë dhe të vrapoj si një fëmijë i vogël pasi mora disa minuta, do të thotë po aq shumë për mua tani sa edhe kur zhvillova ndeshjen time të parë”.
“Gjithçka që kam provuar të bëj është të jap më të mirën për vendin tim, për shokët e skuadrës dhe për të gjithë, në mënyrë që ta bëj kombin krenar”, deklaroi Henderson. /Telegrafi/
