Sipas raportimeve të Gianluca Di Marzio, Brahim Diaz është i vendosur të vazhdojë karrierën e tij te Real Madridi edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht spekulimeve të fundit për të ardhmen e tij.
Futbollisti me origjinë marokene ka qenë subjekt diskutimesh gjatë muajve të fundit, kryesisht për shkak të minutazhit të kufizuar që ka marrë në sezonin e kaluar me “Los Blancos”.
Kjo situatë ka nxitur interes nga disa klube të njohura evropiane, me Juventusin dhe Romën që raportohet se kanë bërë hapa fillestarë për të vlerësuar mundësinë e transferimit të tij.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, Diaz nuk ka ndërmend të largohet nga ‘Santiago Bernabeu’.
Ai mbetet i fokusuar te Real Madridi dhe synon të luftojë për një vend titullari në skuadrën e Carlo Ancelottit, duke besuar se mund të fitojë më shumë hapësira në sezonin e ri.
Situata e tij mund të komplikohet edhe më tej, pasi klubi madrilen po shqyrton aktivizimin e klauzolës së riblerjes për talentin Nico Paz nga Como.
Nëse kjo ndodh, konkurrenca në repartin ofensiv të Real Madridit do të rritet ndjeshëm, duke e bërë edhe më të fortë garën për minuta në fushë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qëndrimi i Brahim Diaz mbetet i qartë: prioriteti i tij është të vazhdojë te Real Madridi dhe të dëshmojë vlerën e tij në një nga skuadrat më të forta në botë. /Telegrafi/
