Aktori britanik, Sir Simon Russell Beale, i njohur për rolin e Ser Simon Strong në serialin “House of the Dragon”, ka ndarë lajme pozitive për shëndetin e tij.
65-vjeçari ka bërë të ditur se skanimi i fundit në spital nuk tregoi shenja të mbetura të kancerit të zorrës së trashë, me të cilin u diagnostikua vitin e kaluar.
Aktori iu nënshtrua trajtimit intensiv, përfshirë kimioterapinë, pasi sëmundja u zbulua në vitin 2025, shkruan DailyMail.
Ai tregoi se në fillim kishte qenë më i sëmurë nga sa e kuptonte vetë, ndërsa mjekët e zbuluan kancerin pasi konstatuan një bllokim në një venë të zorrëve. Familja e tij ishte shumë e shqetësuar, por nuk ia kishte treguar plotësisht seriozitetin e situatës.
Pavarësisht diagnozës, Beale tha se nuk ishte përqendruar te skenari më i keq dhe kishte besuar se mjekët do të merreshin me trajtimin. Në një moment, ai e kishte pyetur drejtpërdrejt mjekun nëse do të mbijetonte, ndërsa ishte siguruar se sëmundja mund të kurohej.
Një nga gjërat që e kishte prekur më shumë ishte detyrimi për t’u tërhequr nga shfaqja teatrale “Titus Andronicus”, të cilën e vlerësonte shumë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, roli i kaloi aktorit John Hodgkinson, i cili e zëvendësoi në një kohë shumë të shkurtër.
Pas trajtimit, aktori është rikthyer gradualisht në skenë. Fillimisht mori pjesë në një produksion të Shekspirit ku mund të qëndronte ulur gjatë performancës, ndërsa tani interpreton rolin e argëtuesit amerikan Liberace në shfaqjen “I’ll Be Seeing You”, në Skoci.
Ai ka treguar gjithashtu se kimioterapia i shkaktonte vetëm disa ditë shqetësime në çdo cikël trajtimi dhe se shpreson që skanimi i fundit të jetë një shenjë e mirë, megjithëse mbetet i vetëdijshëm se beteja me sëmundjen mund të mos ketë përfunduar plotësisht. /Telegrafi/