Ylli i Barcelonës, Raphinha, ka bërë një rrëfim të bujshëm, duke zbuluar se e kishte vendosur largimin nga klubi katalunas përpara se ardhja e Hansi Flickut të ndryshonte gjithçka.
Anësori brazilian ishte lidhur fuqishëm me një largim nga “Camp Nou” gjatë verës së vitit 2024, por një bisedë e sinqertë me trajnerin e sapoemëruar gjerman e bindi të qëndronte dhe të luftonte për vendin e tij në skuadër.
Reprezentuesi i Brazilit kishte një të ardhme të pasigurt në Kataloni përpara emërimit të Flickut në vitin 2024. Për Raphinhanë qarkullonin vazhdimisht spekulime për largim, ndërsa pozita e tij në skuadër dukej se po dobësohej.
Megjithatë, një takim vendimtar me trajnerin e ri gjerman ndryshoi tërësisht rrjedhën e karrierës së tij.
Në vend që të përgatitej për largim, Raphinha qëndroi në Spanjë dhe u shndërrua në një prej lojtarëve kryesorë të Barcelonës, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit në garat vendore në sezonin 2024/25.
Gjatë atij sezoni, braziliani regjistroi shifra mbresëlënëse, me 34 gola dhe 26 asistime në 57 paraqitje.
“Në mendjen time, e dija se do të largohesha. Për mua, gjithçka ishte vendosur, kjo është e vërteta”, zbuloi Raphinha në një intervistë për gazetën britanike The Guardian.
“Isha në Brazil kur më telefonoi Flicku. Ai më tha të takohemi për të biseduar përpara se të merrja vendimin përfundimtar. U takova me të dhe ai më tha se kishte besim tek unë, se do të isha i rëndësishëm dhe se mënyra e lojës së skuadrës do të më përshtatej”.
“Në një moment të tillë, disa fjalë të vogla mund të të ndryshojnë gjithçka”.
“E ndjeva se ai kishte shumë besim tek unë. Më dha vetëbesimin për ta luajtur futbollin tim. Vendosa në mendjen time një gjë: të jap gjithçka, madje edhe jetën time, pavarësisht situatës personale në të cilën ndodhesha”, rrëfeu braziliani.
“Marrëdhënia mes trajnerit dhe lojtarit është më e rëndësishmja në futboll. Që nga momenti kur erdhi Flicku, mund të bisedonim me të për gjithçka, dhe kur them gjithçka, e kam fjalën për gjithçka”, u shpreh ai.
“Atë ditë e pashë me kokën ulur. Në fillim, nuk e kuptova mirë arsyen. E pyeta se çfarë kishte dhe ai më tha se mendonte që skuadra nuk po luante mirë”.
“Nga sa më kujtohet, i thashë se nuk kishte problem, sepse kishim fituar dhe do të luanim mirë përsëri. Një mijë herë preferoj të fitoj duke luajtur keq sesa të humbas duke luajtur mirë. Fito ndeshjet, fito vetëbesim dhe loja e mirë vjen më pas”, përfundoi Raphinha./Telegrafi/

