Fisnik Asllani vazhdon të jetë në radarët e Barcelonës si një nga alternativat për repartin ofensiv, por transferimi i tij në “Camp Nou” mund të ndërlikohet për shkak të një lëvizjeje tjetër në merkato.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS, sulmuesi i Hoffenheimit është një nga emrat që Barcelona po shqyrton në rast se Ferran Torres largohet gjatë kësaj vere. Megjithatë, gjithçka mund të ndryshojë nëse Yan Diomande përfundon transferimin te Real Madridi.
Nëse talenti nga Bregu i Fildishtë i bashkohet klubit madrilen, RB Leipzig pritet të intensifikojë përpjekjet për të transferuar Asllanin. Klubi gjerman e sheh reprezentuesin e Kosovës si zëvendësuesin ideal dhe është i vendosur të veprojë shpejt në treg.
Një lëvizje e tillë do t’ia vështirësonte ndjeshëm planet Barcelonës, e cila mund të mbetej pa objektivin kryesor për të zëvendësuar Ferran Torresin në rast të largimit të këtij të fundit.
Kështu, transferimi i mundshëm i Diomandes te Real Madridi mund të ketë një efekt zinxhir në merkato, duke i prishur planet Barcelonës dhe duke e afruar Fisnik Asllanin drejt Leipzigut.
Në anën tjetër kanë mbetur vetëm disa detaje për ta mbyllur kalimin e Diomande te Reali, ku Leipzig po kërkon 120 milionë euro fikse, derisa madrilenët po i afrojnë 100 milionë euro dhe bonuset./Telegrafi/
