Trajneri i Holandës, Xavi, ka reaguar pas humbjes së rëndë 0-5 ndaj Gjermanisë, duke mos e fshehur zhgënjimin për paraqitjen e skuadrës së tij dhe duke marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi në fushë.
Tekniku holandez pranoi se skuadra nuk tregoi shpirtin e duhur garues, ndërsa kërkoi falje publikisht ndaj tifozëve për paraqitjen e dobët.
“Jam i zhgënjyer. Para ndeshjes isha vërtet krenar për këtë skuadër dhe krenar që jam trajneri i saj. Sot ndihem shumë i trishtuar. E dimë se nuk duam ta shfaqim më kurrë atë mungesë të shpirtit garues. Do të nxjerrim mësime nga kjo dhe do të vazhdojmë përpara”, deklaroi Xavi.
Ai theksoi se ndryshimi i madh në paraqitjen e Holandës, krahasuar me fitoren 7-0 ndaj Greqisë vetëm tri ditë më parë, është i vështirë për t’u pranuar.
“Para tri ditësh treguam anën tonë më të mirë, ndërsa sot treguam anën tonë më të keqe. Dua t’u kërkoj ndjesë mbështetësve tanë”, u shpreh trajneri.
Xavi foli edhe për mungesën e reagimit të skuadrës pas golave të pësuar, duke vënë në pah problemin e mentalitetit në fushë.
“Kur rezultati shkoi në 2-0 dhe më pas në 3-0, na ra morali. Kjo nuk duhet të ndodhë. Sot bëhej fjalë për vlera. Nëse nuk kemi shpirt, është e pamundur të konkurrojmë”, theksoi ai.
Trajneri pranoi gjithashtu se merr përgjegjësinë për këtë rezultat, por nënvizoi se ajo ndahet edhe me futbollistët.
“Unë marr përgjegjësinë për atë që ndodhi sot. Sigurisht, edhe lojtarët e ndajnë këtë përgjegjësi. Ne jemi një ekip, jemi një familje. Folëm pas ndeshjes dhe lojtarët ishin të sinqertë për atë që ndodhi”, shtoi Xavi.
Në fund, tekniku rikujtoi se objektivi kryesor i Holandës ishte sigurimi i një vendi në çerekfinalet e Ligës së Kombeve, objektiv që sipas tij u arrit. /IndeksOnline/

