Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH për realizimin e nismës WiFi4WB.
Memorandumi, i nënshkruar me përfaqësuesen e GIZ-it, Marigona Hoti, synon krijimin e një rrjeti publik Wi-Fi falas për qytetarët dhe vizitorët e Komunës së Lipjanit.
Sipas Komunës, projekti do të mundësojë qasje më të lehtë në internet në hapësira publike, duke lehtësuar informimin, komunikimin dhe përdorimin e shërbimeve elektronike nga qytetarët.
Kryetari Ahmeti ka theksuar se kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet online dhe në procesin e transformimit digjital.
Memorandumi është pjesë e projektit EU4Digital, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë dhe i zbatuar nga GIZ.
Përmes nismës WiFi4WB synohet zgjerimi i qasjes falas dhe të sigurt në internet në hapësirat publike të komunës. /Telegrafi/