Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka vepruar kundër interesave të Kosovës, duke mbështetur një deklaratë të përbashkët me Serbinë në një forum rajonal ku, sipas saj, Kosova nuk është trajtuar si shtet i pavarur.
Sipas Vokshit, Shqipëria ka ndryshuar qëndrimin që kishte mbajtur në vitet e kaluara në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale.
“Edi Rama tradhton zyrtarisht interesin e Kosovës si shtet i pavarur”, ka shkruar Vokshi.
Ajo pretendon se gjatë mbledhjes së Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Juglindore, Shqipëria dhe Serbia votuan për një deklaratë të përbashkët ku Kosova nuk përmendej.
“Për tre vite me radhë, kur Komisioni i Integrimit Europian drejtohej nga Partia Demokratike, Shqipëria ka refuzuar të japë konsensus për deklarata ku nuk trajtohej interesi i Kosovës si shtet i pavarur”, u shpreh Vokshi.
Vokshi tha se ky qëndrim u ndryshua pasi drejtimi i komisionit kaloi te përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
“Përfaqësuesja e Partisë Socialiste vendosi të heqë dorë nga vetoja dhe të japë votën pro një deklarate të përbashkët me Serbinë, që ka fshirë Kosovën nga diskutimi”, theksoi ajo.
Deputetja demokrate ngriti gjithashtu pyetje mbi arsyet e këtij vendimi dhe raportet e Ramës me presidentin serb.
“Çfarë e ka detyruar Edi Ramën t’i japë sot Serbisë një fitore kundër interesit të Kosovës? Pse ai u dorëzua dje sërish para Aleksandër Vuçiq?”, tha deputetja.
Në reagimin e saj, Vokshi renditi edhe disa veprime të mëhershme të Ramës që, sipas saj, kanë qenë në kundërshtim me interesat e Kosovës, duke përmendur mbështetjen për nismën e “Ballkanit të Hapur”, debatin për Asociacionin dhe anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dje Edi Rama shkoi përtej qëndrimeve. Ai nuk foli kundër Kosovës. Ai votoi kundër saj, në një akt tradhtie kundër Kosovës dhe kundër interesit kombëtar”, deklaroi Vokshi. /Telegrafi/
