Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurohen që ata të jenë të vaksinuar kundër fruthit.
Vitia ka theksuar se vaksinimi është mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga kjo sëmundje, e cila është rikthyer në vend dhe mund të shkaktojë komplikime shëndetësore.
“Të dashur prindër, fruthi është rikthyer në vendin tonë, sëmundje që mund të shkaktojë komplikime dhe shumë telashe shëndetësore. Kjo situatë kërkon vëmendjen, përgjegjësinë dhe angazhimin e përbashkët të të gjithëve për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të kësaj sëmundjeje, lehtë të parandalueshme me vaksinim të rregullt, siç e kemi bërë me gjenerata”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka bërë të ditur se institucionet shëndetësore po e monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike dhe po ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.
Ministri u ka kërkuar prindërve që të tregojnë kujdes dhe të verifikojnë nëse fëmijët e tyre i kanë marrë vaksinat e nevojshme.
Ndërkohë, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) tregojnë se nga 16 prilli deri më 11 tetor janë regjistruar gjithsej 203 raste me fruth në vend.
Prej tyre, 17 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit të raportuar.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, 95 për qind e rasteve të regjistruara me fruth janë te personat e pavaksinuar.
Institucionet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre janë të vaksinuar, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të sëmundjes dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

