Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në sektorin e shëndetësisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, temë diskutimi ishin prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, me fokus në investimet në sektorin shëndetësor, reformën e sistemit shëndetësor dhe digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, transmeton IndeksOnline.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit në ofrimin e kujdesit shëndetësor në raste fatkeqësish, si dhe shkëmbimit të përvojave profesionale ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, Vitia dhe Blaj diskutuan për vizitën studimore që një delegacion nga Kosova do ta realizojë në Slloveni, nga 6 deri më 9 dhjetor.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni kosovar pritet të njihet nga afër me praktikat sllovene në integrimin e shërbimeve shëndetësore dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.

