Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të monumentit kulturor “Makedonium” në Krushevë, ku u lejua që reperi nga Kosova të xhirojë videoklipin e këngës “Sexy Mama”.
Sipas informacioneve që qarkulluan në mediat maqedonase, ai lokacion u dha me qira për xhirim për vetëm 500 euro.
“Me të vërtetë, ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla. I kërkoj falje qytetarëve për këtë lëshim dhe do të përpiqemi që të mos ndodhë më në të ardhmen. Prandaj, sot do të kërkoj që të shkarkohen si anëtarët e Bordit Drejtues, ashtu edhe drejtori i atij institucioni kulturor”, tha Mickoski.