Dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë pasi një automjet përplasi një grup këmbësorësh në Doncaster të Anglisë.
Policia ka arrestuar drejtuesin e makinës, i cili më pas është liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme, transmeton Telegrafi.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 11:00, në rrugën White Rose Way, ku shërbimet emergjente u thirrën pas një përplasjeje të rëndë. Në vendngjarje u dërgua edhe një helikopter i ambulancës ajrore.
Sipas Policisë së South Yorkshire, një Mitsubishi L200 i zi përplasi fillimisht katër këmbësorë dhe më pas u përplas me një Audi të zi dhe një BMW të argjendtë që po lëviznin në korsinë e kundërt.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore, dy nga këmbësorët u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Policia bëri të ditur se po punon për identifikimin e viktimave dhe njoftimin e familjarëve të tyre.
Katër persona të tjerë u dërguan në spital me plagosje të rënda, por jo kërcënuese për jetën.
Drejtuesi i Mitsubishi-t, një 30-vjeçar, u arrestua nën dyshimin për dy raste të shkaktimit të vdekjes përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit, dy raste të shkaktimit të plagosjeve të rënda përmes drejtimit të rrezikshëm, si dhe për drejtim të automjetit në gjendje të papërshtatshme për të ngarë.
Policia konfirmoi më pas se ai është liruar me kusht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
Një hetim i plotë është hapur për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e përplasjes.
Policia e South Yorkshire u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, apo që ndodheshin pranë zonës në momentin e përplasjes, të kontaktojnë autoritetet.
Në veçanti, policia po kërkon edhe persona që mund të kenë pamje nga kamerat e automjeteve, të cilat mund të ndihmojnë hetuesit për të rindërtuar momentet para dhe gjatë aksidentit. /Telegrafi/