KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Vetura kineze mbeti pa boshtin e pasmë – ndalohet shitja

Vetura kineze mbeti pa boshtin e pasmë – ndalohet shitja

Autoritetet në Malajzi kanë ndaluar përkohësisht shitjen e modelit kinez Chery Omoda 5, pas raportimeve për një defekt serioz teknik që mund të rrezikojë sigurinë e drejtuesve dhe pasagjerëve.

Vendimi u mor pasi në rrjetet sociale u publikuan fotografi të një veture të këtij modeli, së cilës i ishte shkëputur pjesa e pasme e sistemit të pezullimit.

Pas incidentit, autoritetet pezulluan miratimin për homologimin e automjetit dhe paralajmëruan hetime për të përcaktuar shkaqet e defektit.

Departamenti Malajzian i Transportit Rrugor e njoftoi vendimin më 11 tetor, duke e shtrirë pezullimin në shitjen e modelit Omoda 5 në vend.

Prodhuesi kinez Chery ka konfirmuar se ekziston një problem teknik dhe u ka bërë thirrje pronarëve të automjeteve potencialisht të prekura që t’i dërgojnë ato në serviset e autorizuara për kontrolle shtesë.

Sipas kompanisë, problemi lidhet me versionet e mëparshme të modelit, të prodhuara para ridizajnimit. Pronarët mund të kontrollojnë nëse veturat e tyre janë pjesë e serisë së prekur duke përdorur numrin identifikues të automjetit (VIN).

Rasti ka shkaktuar shqetësime për sigurinë dhe kontrollin e cilësisë së veturave të prodhuara nga kompania kineze, e cila vitet e fundit ka fituar popullaritet në tregun malajzian.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji për Chery-n. Në vitin 2024, kompania tërhoqi vullnetarisht 600 vetura Omoda 5 për shkak të një defekti të mundshëm në boshtin e pasmë, i lidhur me një problem në saldim. Kontrollet e mëvonshme treguan se defekti kishte prekur 60 automjete.

Ndërkohë, kompania është përballur edhe me kritika për reagimin ndaj rastit të fundit, pasi pamjet e veturës së dëmtuar u publikuan disa ditë para se të vinte reagimi zyrtar.

Autoritetet malajziane pritet të përcaktojnë përmes hetimeve nëse defekti përbën rrezik më të gjerë dhe nëse nevojiten masa të tjera për automjetet e këtij modeli. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.