Në zemër të Luginës Hudson në New York, kjo banesë moderne me formë kubi dëshmon se hapësira e vogël mund të shndërrohet në luks, dritë dhe qetësi absolute
Forma e saj vertikale dhe sipërfaqja modeste prej 700 këmbësh katrorë e bëjnë një shembull të rrallë të efikasitetit, kursimit të hapësirës dhe dizajnit të zgjuar.
Veshja e jashtme me kedër të errësuar zbutet me kalimin e kohës, duke e harmonizuar shtëpinë me mjedisin pyjor përreth, ndërsa thekson prerjet e pastra gjeometrike dhe hapjet e thella me kënde të pjerrëta. Nga larg duket si një objekt minimalist, por sa më shumë i afrohesh, aq më tepër zbulon detaje që e bëjnë të veçantë.
Organizimi i brendshëm përmbys rregullat klasike: dhomat e gjumit janë vendosur në nivelin e poshtëm, ndërsa hapësirat kryesore të qëndrimit dhe ngrënies ngrihen sipër për të kapur pamje të gjera mbi luginë. Kjo zgjidhje e kthen ngjitjen lart në një moment kalimi, nga streha drejt qiellit. Dritaret e mëdha me korniza të parregullta orkestrojnë dritën gjatë gjithë ditës, duke sjellë ritëm dhe thellësi në brendësinë minimaliste, transmeton Telegrafi.
Brenda, kontrasti mes fasadës së errët dhe interierit të ndritshëm krijon ndjesinë e rehatisë moderne. Druri i çelët, muret e pastra dhe drita natyrale e bëjnë çdo cep të duket më i madh sesa është në të vërtetë. Është një shtëpi e vogël në përmasa, por me ndjesi të madhe lirie.
Historia e saj është po aq interesante sa pamja. Projekti lindi gjatë pandemisë, kur dy themeluesit e studios kërkonin një strehë larg qytetit. Sfidat me kostot e ndërtimit dhe mungesën e fuqisë punëtore i detyruan të ridizenjonin gjithçka, duke krijuar në fund një model banese më të zgjuar, më ekonomik dhe më të qëndrueshëm.
Dizajni i FORMA Architects e shndërron kufizimin në poezi. Çdo kënd dhe prerje ka funksion: të kornizojë pamjet, të krijojë hije dhe të ndërtojë intimitet brenda hapësirës së hapur. Rezultati është një banesë ku thjeshtësia bëhet luks dhe çdo ngjitje shpërblehet me horizont.
/Telegrafi/