Nuk është vetëm alkooli ai që krijon atmosferë; aromat, kujtesa dhe masa e duhur mund të luajnë rol më të madh nga sa mendohet
Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë, Zvicër
Gjithmonë ka pasur një lidhje midis alkoolit dhe dashurisë, përkatësisht seksit. Qoftë nëse kjo ka sjellë çaste të mrekullueshme, apo ndonjë gabim për të cilin njeriu pendohet të nesërmen, shumë njerëz, me shumë gjasë, kanë pasur një përvojë të tillë në një moment të jetës së tyre. Pse ndodh kjo?
Këtë e shpjegon specialistja Shirley Amberg.
Ndoshta të gjithë kemi pasur net kur kemi pirë pak më shumë seç duhet dhe kemi bërë diçka që normalisht nuk do ta kishim bërë: qoftë duke kërcyer mbi një tavolinë, apo duke kënduar karaoke, edhe pse e dimë shumë mirë se nuk dimë të këndojmë.
Kur ulet vetëpërmbajtja, njeriu mund të nisë një bisedë që, në rrethana të tjera, ndoshta nuk do ta kishte bërë kurrë. Por kjo është edhe pak e rrezikshme, sepse shumë verë mund t’i ulë frenimet deri në atë masë sa të bëni diçka për të cilën më vonë pendoheni – ose diçka që do të dëshironit ta harronit krejtësisht.
Sigurisht, kjo nuk është asgjë e re për shumicën e njerëzve. Por a e dinit se ka prova shkencore që sugjerojnë se vera, me alkoolin që përmban, në fakt mund të veprojë si afrodiziak, përtej efektit të thjeshtë të uljes së frenimeve?
Shkurt: përfundimi i përgjithshëm i studimit ishte se personat që pinë verë rregullisht priren të kenë dëshirë më të lartë seksuale dhe më shumë kënaqësi nga akti seksual sesa ata që nuk konsumojnë alkool.
Studimi dha edhe një rezultat tjetër interesant: nga të gjitha pijet alkoolike të shqyrtuara, vera e kuqe duket se është më “efektive” në këtë drejtim.
Megjithatë, si me çdo alkool, pirja e tepruar e verës së kuqe mund të ketë efekt të kundërt në dëshirën seksuale. Teprica e alkoolit madje mund të çojë edhe në ndjenja depresive, duke shuar menjëherë çdo shkëndijë që mund të ishte shpresuar në dhomën e gjumit. Pastaj është edhe problemi fizik: disa burra që e lexojnë këtë, me siguri, do të kujtojnë një apo dy raste kur kanë pirë pak më shumë nga lëngu i rrushit të fermentuar dhe, si të thuash, thjesht nuk kanë qenë në gjendje ta bënin atë që dëshironin.
Si gjithmonë, moderimi është çelësi. Studiuesit, në përgjithësi, pajtohen se një ose dy gota verë të kuqe janë të mjaftueshme për të stimuluar pozitivisht shqisat.
Cila verë është më tërheqëse?
Gratë priren të joshen nga aromat e myshkut, tokës, drurit, likoricës dhe nga aromat që të kujtojnë qershinë.
Edhe pse nuk ka prova plotësisht bindëse, është e vështirë të mos mendohet se këto përshkrime aromash e shijesh ngjajnë shumë me fjalët që përdoren për të përshkruar Vrançin, Burgundezin e zi, Katerushin, Kallmetin, Serinin ose Merlotin.
Burrat, nga ana tjetër, priren të magjepsen nga aromat e livandos, karamelit, gjalpit, portokallit, likoricës, erëzave të ëmbla dhe vaniljes. Sërish, nuk mund të bëhet asnjë premtim, por shumë nga këto aroma gjenden zakonisht te shampanja, moscato, Grenache, Syrah, verërat rozë, Sherry ose Port.
Kujtesa jonë nuhatëse na kushtëzon në mënyrë të pavetëdijshme
Kujtimet nuhatëse janë ndër kujtimet më të forta dhe më jetëgjata që kemi. Me shumë mundësi, të gjithë kemi përjetuar kujtime nuhatëse të vetëdijshme, kur një aromë apo një erë e caktuar na rikthen gjallërisht një kujtim të veçantë nga e kaluara.
Por ekzistojnë edhe kujtime nuhatëse të pavetëdijshme, të cilat na përgatitin për situata të caktuara pa e kuptuar. Nëse keni pasur disa net vërtet të zjarrta me një verë të caktuar, është mjaft e mundur që, në mënyrë të pavetëdijshme, aromat e asaj vere t’ju vendosin edhe shumë vite më vonë në një humor të ngazëllyer.
Për t’i ndërtuar këto “kujtime aromash”, natyrisht, do të duhej të merrnit kohë për ta nuhatur vërtet verën – gjë që, në ato momente, ndoshta do të kishte rëndësi dytësore. /Telegrafi/
