Soda e bukës njihet për aftësinë që të thithë dhe neutralizojë aromat e pakëndshme, në vend që thjesht t’i mbulojë ato
Përveç përdorimit në gatim dhe pastrimin e shtëpisë, soda e bukës ka edhe një përdorim tjetër shumë praktik. Shumë amvisa e mbajnë pikërisht në një vend ku ndoshta më së paku do ta prisnit: në ngrirës.
Soda e bukës prej dekadash ka një vend të veçantë në amvisëri, falë përdorimeve të shumta dhe të thjeshta. Një nga truket më pak të njohura është përdorimi i saj në ngrirës, ku mund të ndihmojë në neutralizimin e aromave të pakëndshme që krijohen nga ruajtja e ushqimeve të ndryshme, si mishi, peshku, pemët dhe perimet.
Në këtë mënyrë, ngrirësi qëndron më i freskët, ndërsa aromat nuk kalojnë aq lehtë nga një ushqim te tjetri.
Pse krijohen aroma të pakëndshme në ngrirës
Me kalimin e kohës, aromat e ushqimeve të ndryshme mund të përzihen, sidomos nëse ushqimi nuk është i paketuar mirë. Për shembull, peshku mund ta përcjellë aromën e tij të fortë te produktet e tjera, ndërsa pemët dhe frutat e imëta mund të humbin një pjesë të aromës së tyre natyrale.
Aromat e pakëndshme mund të krijohen edhe nga mbetjet e vogla të ushqimit, lagështia dhe hapja e shpeshtë e ngrirësit, gjë që ndikon në freskinë e produkteve të ruajtura.
Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz përdorin një zgjidhje të thjeshtë dhe natyrale, pa pasur nevojë për preparate kimike apo produkte të shtrenjta, transmeton Telegrafi.
Si ndihmon soda e bukës
Soda e bukës njihet për aftësinë që të thithë dhe neutralizojë aromat e pakëndshme. Ndryshe nga disa produkte që vetëm i mbulojnë aromat me parfume të forta, soda e bukës ndihmon që ajri në një hapësirë të mbyllur të mbetet më i freskët dhe më i këndshëm.
Për këtë truk mjafton të vendosni në ngrirës një enë të hapur me 50 deri në 100 gramë sodë buke.
Për rezultate më të mira, përdorni një enë të vogël të hapur ose një kuti të vogël. Enën mund ta mbuloni me gazë ose me kapak me vrima, në mënyrë që ajri të qarkullojë lirshëm. Soda e bukës duhet të ndërrohet çdo një deri në dy muaj, në mënyrë që ta ruajë efektin e saj.
Përparësi shtesë gjatë muajve të ngrohtë
Gjatë verës, ngrirësi hapet më shpesh, ndërsa temperaturat e larta të ambientit mund të ndikojnë në krijimin e lagështisë dhe forcimin e aromave të pakëndshme. Prandaj, shumë amvisa gjatë kësaj periudhe e përdorin sodën e bukës si një shtesë të thjeshtë dhe praktike në mirëmbajtjen e rregullt të pajisjes.
Edhe pse soda e bukës nuk mund ta zëvendësojë pastrimin e rregullt të ngrirësit dhe paketimin e duhur të ushqimeve, ajo mund të ndihmojë që brendësia e pajisjes të ketë aromë më të freskët dhe më të këndshme.
Bëhet fjalë për një zgjidhje të thjeshtë, të lirë dhe lehtësisht të arritshme, të cilën shumë njerëz e përdorin gjatë gjithë vitit, e sidomos gjatë muajve të verës. /Telegrafi/
