Teknika që u bë hit në rrjetet sociale nuk kërkon grimier profesionist, por vetëm pak produkt dhe disa lëvizje të thjeshta që e bëjnë fytyrën të duket më e pushuar
Gjatë verës, shumica e grave kërkojnë pikërisht atë pamje të lehtë dhe të freskët, e cila duket sikur nuk keni bërë shumë përpjekje, por megjithatë është e përsosur.
Pikërisht me këtë estetikë Victoria Beckham tërheq vëmendjen prej vitesh. Dizajnerja e modës dhe ish-anëtarja e grupit Spice Girls njihet për faktin se rrallë eksperimenton me ngjyra të forta dhe grim të rëndë. Në vend të kësaj, shenja e saj dalluese është bërë pamja natyrale dhe e sofistikuar, falë së cilës duket e çlodhur dhe e kuruar edhe kur mban shumë pak grim.
I kuqi i faqeve nuk është më i rezervuar vetëm për mollëzat
Për vite me radhë kemi mësuar se i kuqi i faqeve vendoset vetëm në mollëza. Megjithatë, trendet e reja të grimit gjithnjë e më shumë rikujtojnë mënyrën se si duket lëkura natyrshëm pas qëndrimit në diell, pas një shëtitjeje apo pas kohës së kaluar në ajër të pastër.
Victoria Beckham e bazon teknikën e saj pikërisht në këtë ide.
Në vend që produktin ta vendosë vetëm në mollëza, ajo e shpërndan të kuqin e faqeve në disa pika të zgjedhura me kujdes në fytyrë. Në këtë mënyrë, ngjyra duket shumë më natyrale, ndërsa fytyra fiton freski që të kujton nxirjen e lehtë verore, transmeton Telegrafi.
Truku me zemra që u bë viral
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Victoria tregoi procedurën e saj të thjeshtë.
Fillimisht vizaton dy zemra të vogla në faqe. Më pas, mbi hundë vendos tri vija të shkurtra me të kuqin e faqeve, ndërsa në fund shton edhe një pikë të vogël në mjekër.
Në shikim të parë, gjithçka duket paksa e pazakontë, por pikërisht këtu fillon magjia.
Pas vendosjes, i kuqi i faqeve përhapet lehtë me prekje dhe sfumohet drejt lart, kah tëmthat. Ky drejtim i aplikimit i ngrit vizualisht tiparet e fytyrës dhe i jep pamjes më shumë freski.
Pse kjo teknikë jep efektin e një fytyre të çlodhur?
Grimierët prej vitesh përdorin truke optike për ta bërë fytyrën të duket më e tendosur dhe më rinore.
Kur ngjyra drejtohet lart, shikimi natyrshëm ndjek atë drejtim, prandaj fytyra duket më e ngritur. Njëkohësisht, i kuqi i faqeve në hundë dhe në mjekër imiton skuqjen natyrale që shfaqet pas qëndrimit në diell.
Rezultati nuk është një transformim dramatik, por efekti i një teni të shëndetshëm dhe freskie natyrale.
Pikërisht për këtë arsye, ky truk funksionon veçanërisht mirë gjatë verës, kur shumica e grave dëshirojnë që grimi të duket sa më natyral.
Më e rëndësishmja është të mos e teproni
Edhe pse teknika duket e thjeshtë, çelësi i suksesit qëndron te sasia e produktit.
Victoria përdor sasi shumë të vogla të të kuqit të faqeve, të cilat shkrihen lehtë me lëkurën. Qëllimi nuk është të shihet qartë se ku është vendosur produkti, por që fytyra të duket sikur shkëlqen natyrshëm.
Efekti më i mirë arrihet me të kuq faqeje kremoz ose të lëngshëm, që sfumohet lehtë dhe lë një përfundim natyral.
Këshilla më argëtuese e Victorias
Hapi i fundit ka nxitur më së shumti komente.
Teksa e përhap të kuqin e faqeve, Victoria këshillon të buzëqeshni.
Me një dozë humori, ajo shtoi se këtë truk nuk duhet t’ia zbuloni askujt, duke aluduar në reputacionin e saj të gjatë si yll që rrallë buzëqesh para fotografëve.
Edhe pse komenti ishte me shaka, buzëqeshja vërtet mund të ndihmojë që i kuqi i faqeve të vendoset në një pikë më natyrale dhe të shkrihet më bukur me konturet e fytyrës. /Telegrafi/
