Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter “Flynn” White Jr., djalit të personazhit kryesor në serialin e njohur “Breaking Bad”, ka vdekur në moshën 34-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe aktivistit të përkushtuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të tij për BBC-në.
Mitte vdiq të hënën në Brownsville të Teksasit. Publicisti i tij konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se aktori i kishte dhënë fund jetës.
Aktori, i cili kishte paralizë cerebrale, e shfrytëzoi përvojën e tij personale për të interpretuar personazhin e Walter White Jr. në serialin fitues të çmimeve Emmy.
Bryan Cranston, i cili luante rolin e babait të tij në serial, Walter White, reagoi përmes një postimi në Instagram, duke thënë se lajmi e kishte zhytur në “dëshpërim të thellë”.
“E takova kur ishte vetëm 14 vjeç, pasi u përzgjodh për rolin e Walter White Jr., të cilin e luajti me shumë gëzim dhe entuziazëm”, shkroi Cranston.
Ai kujtoi se Mitte ishte ende në fillimet e tij si aktor kur nisën xhirimet e episodit pilot në shkurt të vitit 2007, por se me kalimin e kohës u zhvillua dhe u bë një aktor shumë i mirë.
Cranston vlerësoi gjithashtu angazhimin e Mitte për përfaqësimin e aktorëve me aftësi të kufizuara, duke theksuar se ai nuk e kishte lejuar kurrë paralizën cerebrale të bëhej “arsyetim për asgjë”.
“I gjithë ai premtim dhe potencial që kishte përfaqëson një humbje kaq të madhe”, shkroi Cranston, duke shtuar se e kishte shijuar kohën e kaluar me të gjatë viteve të serialit dhe edhe pasi fama e “Breaking Bad” ishte zbehur.
“Është veçanërisht shkatërruese të dëgjosh se i ka dhënë fund jetës”, shkroi ai, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Do të më mungosh, bir”.
Përfaqësuesi i aktorit, Sean Reilly, tha se Mitte i dha autenticitet personazhit të tij dhe shfrytëzoi famën për të rritur ndërgjegjësimin për aftësinë e kufizuar dhe rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara.
Mitte ishte gjithashtu ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s. Ai themeloi Fondacionin Mitte, përmes të cilit mbështeti iniciativa bamirësie dhe projekte në komunitet, duke synuar të sfidonte stereotipat dhe të nxiste përfaqësimin më të madh të personave me aftësi të kufizuara.
Edhe Aaron Paul, i cili në “Breaking Bad” luante Jesse Pinkman, shprehu dhimbjen për vdekjen e aktorit.
“RJ, të dua, miku im. Do të na mungosh”, shkroi ai, duke u bërë thirrje njerëzve që të kujtojnë se janë të dashur dhe nuk janë vetëm.
Ndërkaq, Dean Norris, i cili luante Hank Schrader, xhaxhain e personazhit të Mitte në serial, tha se ishte kujdesur për të që kur ishte i ri.
“Ai ishte një djalë i mrekullueshëm dhe do të na mungojë shumë”, shkroi Norris.
Mitte u rrit në Luiziana dhe ishte ende adoleshent kur provoi për rolin që do ta bënte të famshëm. Ai ishte zhvendosur në Los Anxhelos në vitin 2005 për të mbështetur karrierën e motrës së tij më të vogël në aktrim.
Në një intervistë të dhënë më herët këtë muaj në podcastin e Joe Vulpis, aktori kishte treguar se audicioni i tij i parë në Los Anxhelos ishte për një reklamë ndërgjegjësuese kundër metamfetaminës, një lloj droge stimuluese.
Ai kishte thënë se edhe “Breaking Bad” mund të shihej si një mesazh kundër kësaj droge, pasi historia e serialit nuk përfundonte mirë për askënd.
Personazhi i Walter White Jr. ishte frymëzuar nga një mik i ndjerë i krijuesit të serialit, Vince Gilligan, i cili kishte një formë më të rëndë të paralizës cerebrale dhe përdorte paterica për parakrahë. Ndryshe nga ai, Mitte nuk kishte nevojë për to.
Interpretimi i tij u vlerësua për mënyrën e natyrshme dhe bindëse të portretizimit të një adoleshenti me aftësi të kufizuara. Në serial, gjendja e tij shëndetësore përmendej rrallë, ndërsa personazhi shpesh bënte shaka dhe sillej si çdo adoleshent tjetër.
“Breaking Bad” u transmetua për pesë sezone në televizionin amerikan AMC, nga viti 2008 deri në vitin 2013.
Pas suksesit të serialit, Mitte u angazhua për më shumë role të larmishme dhe për portretizime më komplekse të personave me aftësi të kufizuara, qofshin ato të dukshme apo jo.
“Në çdo sezon të ndarjes së çmimeve, shpresojmë të shohim një grup të larmishëm projektesh që na përfaqësojnë të gjithëve, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë mendor”, kishte deklaruar ai për BBC-në në vitin 2021.

