Vanessa Trump, ish-bashkëshortja e Donald Trump Jr., ka rrëfyer se lodhja ekstreme ishte një nga shenjat e para që i parapriu diagnostikimit me kancer të gjirit.
Në një intervistë së bashku me vajzën e saj, Kai Trump, dhe doktoreshën Nicole Saphier, Vanessa tregoi se për rreth gjashtë muaj para diagnozës ndihej jashtëzakonisht e rraskapitur, edhe pas aktiviteteve të thjeshta të përditshme, siç ishte dalja për të marrë një kafe në Starbucks.
Ajo shpjegoi se lodhja është një simptomë që mund të neglizhohet lehtë, veçanërisht nga nënat, të cilat shpesh e konsiderojnë rraskapitjen pjesë të zakonshme të përditshmërisë.
Foto: Screenshot/YouTube
Vanessa iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e tumorit dhe një pjese të vogël të indit përreth, si dhe trajtimit me rrezatim.
Sipas saj, kanceri nuk lidhej me faktorë gjenetikë, por me faktorë të mjedisit.
Rezultatet e rezonancës së fundit magnetike kanë qenë të mira dhe aktualisht ajo nuk ka shenja të sëmundjes.
Megjithatë, në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme do t’i duhet të kryejë disa kontrolle çdo vit për të monitoruar gjendjen shëndetësore.
– YouTube www.youtube.com
Vanessa e bëri publike diagnozën në maj, rreth një muaj pasi kishte mësuar se vuante nga kjo sëmundje.
Në atë kohë, ajo tregoi se po bashkëpunonte ngushtë me ekipin mjekësor dhe se ndihej e mbështetur nga familja dhe njerëzit e afërt.
Përmes rrëfimit të saj, ajo synon të ndërgjegjësojë gratë për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke i nxitur që ta vendosin shëndetin e tyre në plan të parë. /Telegrafi/

