Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të regjisorit shqiptar, Valmir Tertini.
Regjisori dhe themeluesi i vivFilms është nderuar me Luanin e Argjendtë, një vlerësim për kontributin e tij në fushën e kinematografisë.
Çmimi iu akordua në kuadër të MostraLido, gjatë aktiviteteve të zhvilluara në Venecia, në një prej periudhave më të rëndësishme të vitit për kinematografinë botërore.
Foto: Facebook
Në këtë ngjarje të veçantë, Tertini u shfaq krah Presidentit të La Biennale di Venezia, Pietrangelo Buttafuoco, një prej figurave kryesore të institucioneve kulturore dhe kinematografike italiane.
Vlerësimi për Tertinin vjen pas një karriere të shtrirë në arenën ndërkombëtare, si regjisor, producent Shqipëri-Itali-Amerikë si dhe pas pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme në festivale dhe aktivitete të rëndësishme të kinematografisë.
Foto: Facebook
Pjesë e këtij momenti ishte gazetari i njohur italian Lorenzo Mayer si dhe producenti Emiliano Biraku.
Tertini ndodhet në Venecia edhe për të prezantuar dokumentarin e tij “Pinocchio’s Harvard”, ne CVV pjese e edicionit te 83 te Festivalit të filmit, një projekt i pavarur i realizuar në ShBA, i cili ka nisur tashmë rrugëtimin e tij në skenën ndërkombëtare.
Ky vlerësim e vendos regjisori shqiptar edhe një herë në qendër të vëmendjes së botës së filmit, në një qytet që gjatë këtyre ditëve kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të kinematografisë botërore. /Telegrafi/