Ushtria amerikane rrëzoi më shumë dronë iranianë, të cilët tha se po kërcënonin anijet në pikën e bllokimit të transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.
“Më herët sot, forcat amerikane në Lindjen e Mesme rrëzuan dy dronë sulmues iranianë me një drejtim që kërcënonin trafikun detar ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së në një postim në X.
Ushtria deklaroi se mbetet e gatshme të “vazhdojë mbrojtjen kundër agresionit iranian”.
Ndryshe, rrëzimi i dronëve vjen pasi SHBA-të rrëzuan katër dronë të tjerë sulmues të premten.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se udhëheqësit iranianë nuk kanë arritur ende një marrëveshje me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme sepse janë “të fortë” dhe “krenarë”, por në fund të fundit, shtoi ai, “ata nuk kanë zgjidhje tjetër” përveçse të arrijnë një marrëveshje.
“Ata janë të fortë, janë krenarë, ka gjëra që nuk mendonin kurrë se do t’i bënin, por që do të duhet t’i bëjnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër dhe u duhet pak kohë”, i tha presidenti moderatores së emisionit “Meet the Press” të NBC News, Kristen Welker, gjatë një interviste në Chippewa Falls, Wisconsin.
Komentet e Trumpit vijnë ndërsa udhëheqësit amerikanë dhe iranianë kanë negociuar për t’i dhënë fund luftës, e cila hyri në muajin e katërt javën e kaluar.
Të dy vendet ranë dakord për një armëpushim në prill , i cili është zgjatur disa herë, megjithëse tensionet u rritën ditët e fundit kur SHBA-të dhe Irani shkëmbyen sulme pranë Ngushticës së Hormuzit. /Telegrafi/
