56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Sauk u helmuan më 7 maj, aq sa përfunduan në spital. Pas ngjarjes, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nisi hetimet në bashkëpunim me institucionet përkatëse për të zbardhur shkaqet.
Sipas AKU-së, janë marrë mostra ushqimesh të dyshuara, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin e ISUV, ndërsa rezultatet pritet të dalin në ditët në vijim.
Gjithashtu, është marrë edhe kampioni i ujit të rrjetit për analiza mikrobiologjike. Në terren po vijojnë verifikimet edhe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH).
Për të hetuar më tej situatën, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka marrë mostra edhe nga ambientet ku përgatitet ushqimi, për të vlerësuar kushtet e higjienës. Edhe këto rezultate pritet të bëhen publike pas përfundimit të analizave.
Autoritetet theksojnë se po zhvillohet një hetim epidemiologjik për të identifikuar burimin e mundshëm të infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera.
Për ngjarjen, janë arrestuar teknologia dhe kuzhinieri i kompanisë katering, që shpërndante ushqimin në tre vakte për studentët. Në kërkim është shpallur administratorja. Studentët kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku, menjëherë pas konsumimit të drekës./Tv Klan